Thursday, October 23, 2014

SHKENDIJA VOLEJBOLL NUK KA KUSHTE TE VAZHDOJE KAMPIONATIN NGEL PA SPONZOR




Diego Costa në dyshim për sfidën ndaj Man. United

Sulmuesi brazilian por që luan me përfaqësuesen e Spanjës vazhdon të mbetet në dyshim për supersfidën e kësaj fundjave në futbollin anglez.
Diego Costa mund të jetë mungesa e madhe e Chelsea-it në sfidën e Old Trafford përballë Manchester United këtë të Dielë. Sulmuesi brazilian por që luan me përfaqësuesen e Spanjës vazhdon të mbetet në dyshim për supersfidën e kësaj fundjave në futbollin anglez. Mediat britanike bëjnë me dije se Diego Costa është rikthyer në spital për të përmirësuar gjendjen e tij, e cila nuk ka qenë aspak e mirë pas dy ndeshjeve që ish sulmuesi i Atleticos së Madridit zhvilloi me Spanjën për kualifikueset e kampionatit Europian, Francë 2016.

Mungesa e 26-vjeçarit i cili që nga transferimi i tij te Chelsea ka realizuar 10 gola me skuadrën e tij të re mund të jetë një problem i madh për trajnerin e bluve në takimin ndaj Manchesterit duke ditur edhe kualitetin e madh që kanë në sulm djajtë e kuq pasi kanë në skuadër lojtarë të tillë si Robin Van Persie, Wayne Rooney, Radamel Falcao dhe Angel Di Maria. Sipas shtypit britanik Diego Costa po vuan nga një sëmundje misterioze dhe ky fakt po e mban sulmuesin jashtë fushave të blerta. Nëse sulmuesi i kombëtares së Spanjës nuk arrin të riaftësohet në kohë Jose Mourinho do t’ia besojë sulmin e Chelsea-it edhe në Old Traford francezit Loic Remy i cili realizoi në sfidën e Champions League përballë Mariborit. Nuk përjashtohet as aktivizimi që nga minuta e parë i veteranit Didier Drogba që ashtu si Remy gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen ndaj skuadrës sllovene.

Tuesday, October 21, 2014

FSHF me dosje voluminoze përballë UEFA-s

UEFA ka bërë të ditur se nuk do të hetojë Serbinë, për kore me karakter diskriminues dhe racist dhe as për ndërhyrje apo vërshëllimat fyese në momentin e ekzekutimit të himnit kombëtar
Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur një dosje voluminoze për të kërkuar të drejtën e saj në Komisionin e Disiplinës të Uefa-s, i cili do të mblidhet këtë të enjte për të vendosur ndëshkimet që do të merren për trazirat në ndeshjen e 14 Tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë. Uefa, në njoftimin e saj të datës 15 Tetor, ka bërë të ditur se nuk do të hetojë Serbinë, për kore me karakter diskriminues dhe racist dhe as për ndërhyrje apo vërshëllimat fyese në momentin e ekzekutimit të himnit kombëtar shqiptar. Për këtë arsye dy prej pikave më të forta, në dosjen me pamje filmike dhe fotografi të përgatitur nga FSHF pritet të jenë, pikërisht vërtetimi i këtyre dy veprimeve nga ana e tifozerive vendase në stadiumin e Beogradit. Materiali i përgatitur nga FSHF, është i disponueshëm në tre gjuhë, në shqip, anglisht dhe gjermanisht, për ta bërë atë sa më të kuptueshëm për anëtarët e Komisionit të Disiplinës, të cilët janë të kombësive të ndryshme. Në dosje, përfshihen pamje të rrugës që ka përshkuar delegacioni i Kombëtares Shqiptare për në stadium, ku një turmë njerëzish thërrisnin “Kosova është Serbi”, ndërsa në momentin që përfaqësuesja kuqezi hyri në stadium, u dëgjuan dhe koret “Vdekje, vdekje shqiptarëve”. Kjo gjë madje vazhdoi dhe në tunel por dhe gjatë fillimit të takimit e në vazhdimin e tij. Ndërsa në lidhje me fyerjet ndaj Himnit Kombëtar Shqiptar, si provë janë ofruar pamjet e transmetuara në sinjalin ndërkombëtar.

Gjithashtu hedhja e sendeve të forta në fushë, si në rastin e minutës së 40-të në drejtim të Balës, apo dhe ndërprerja provizore e mëparshme e takimit nga kryesori Atkinson, janë dy pika të forta me të cilat FSHF pritet të luajë në Komisionin e Disiplinës, për të vërtetuar se droni nuk ishte shkaku kryesor i asaj që ndodhi, por përkundrazi klima agresive dhe aspak miqësore në Stadiumin Partizani, të Beogradit. Gjithashtu do të ofrohen dhe foto të dhunës dhe pasojave të saj ndaj futbollistëve kuqezi apo dhe kontrolli i paprecendentë që i është bërë lojtarëve shqiptarë në dhomat e zhveshjes nga ana e policisë serbë, ku rregullorja parashikon edhe ndalimin e hyrjes së delegatit të ndeshjes. Shqipëria kërkon tre pikët në tavolinë nga kjo përballje dhe provat e faktet e paraqitura nga FSHF, duket se krijojnë terrenin e përshtatshëm për dhënien e një vendimi të tillë nga ana e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, që në fakt habiti me përgjigjen e anëtarit të saj, Rudolf Repka, se nuk kishte patur asnjë raportim nga ana e delegatit të ndeshjes Been dhe gjyqtarit kryesor Atkinson, për kore me karakter diskriminues nga më shumë se 30 mijë tifozë serbë të pranishëm në stadium.

Friday, October 17, 2014

SPEKTAKEL NE TETOV E DIEL ORA 14 30 KF SHKENDIJA KF VARDAR

KEMI BESIM TE MATH TEK SKUADRA E SHKENDISE DUAM 3 PIKSHIN

Zyrtari i UEFA-s: Nuk ka kore raciste në relacion

Ceku Rudolf Repka ka pohuar se nuk ka asnjë relacion që përshkruan koret diskriminuese ndaj shqiptarëve apo Përfaqësueses së Shqipërisë.
Shqipëria duhet të përgatitet edhe për një vendim të pakënaqshëm pse jo dhe të padrejtë nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s për incidentin e rëndë që ndodhi në Stadiumin Partizani të Beogradit mbrëmjen e 14 tetorit. Sinjalet për këtë dyshim lexohen në deklaratën e dhënë nga zyrtari i UEFA-s, çeku Rudolf Repka. Ai ka pohuar se nuk ka asnjë relacion që përshkruan koret diskriminuese ndaj shqiptarëve apo Përfaqësueses së Shqipërisë. Si rrjedhojë e kësaj deklarate, në hetimin e UEFA-s ndaj Serbisë për trazirat në ndeshjen me Shqipërinë, nuk do të përfshihen koret me karakter diskriminues, ekstremist e nacionalist nga ana e tifozerisë serbe. Nuk dihet ende sesi qëndron e vërteta e raportit të hartuar për ndeshjen Serbi - Shqipëri, por nëse i referohemi deklaratës së Repkës, kuptohet se relacionet e paraqitura nga ana e gjyqtarit të ndeshjes, anglezit Atkinson por dhe delegatit Harry Been, nuk kanë raportuar për shkeljet e rënda që janë të provuara publikisht me zë dhe figurë nga tifozeria serbe për fyerjet dhe thirrjet megallomane shoviniste ndaj shqiptarëve dhe himnit tonë kombëtar në stadiumin e Beogradit.

Dyshimet për një vendim të padrejtë shtohen duke marrë në konsideratë edhe qëndrimin paraprak të shefit të UEFA-s Michel Platini që e mesa duket ishte i prirur më shumë drejt imagjinatës për të menduar se droni që fluturoi mbi stadium mund të kishte dhe bombë e jo për të parë faktet kokëforta të dhunës verbale e fizike të ushtruar masivisht ndaj të gjithë delegacionit dhe ekipit shqiptar të futbollit në fushën e lojës dhe jashtë saj. Gjithsesi për Shqipërinë si palë në këtë proces është të faktojë e paraqesë provat e saj në mënyrë ligjore edhe pse ato ishin të dukshme si drita e diellit që mesa duket nuk depërton dot vetëm në xhamin e errët të syzeve të diellit të zyrtarëve të UEFA-s apo xhamave të errët të zyrave të tyre.

Thursday, October 16, 2014

“Vritini shqiptarët”!

“Marca-s” i kanë bërë më shumë përshtypje raportimet për koret diskriminuese nga ana e tifozëve serbë, që këndonin: “Vritini shqiptarët, vdekje shqiptarëve”.
“Vritini shqiptarët”, ky është titulli i zgjedhur nga e përditshmja më e madhe sportive spanjolle, “Marca”, për të pasqyruar reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në artikullin e saj, sportivja iberike raporton komunikatën e FSHF-së, e cila të mërkurën në mbrëmje bëri të ditur të gjitha detajet e asaj që ndodhi në Beograd, ku “Marca-s” i kanë bërë më shumë përshtypje raportimet për koret diskriminuese nga ana e tifozëve serbë, që këndonin: “Vritini shqiptarët, vdekje shqiptarëve” që janë pasqyrimi më i mirë i një ambjenti armiqësor dhe agresiv.

Gjithashtu “Marca” duke ju referuar FSHF-së, evidenton se në përfundim të ndeshjes, futbollistët e kombëtares shqiptare nuk u goditën vetëm nga tifozët serbë por gjithashtu dhe nga steward të sigurisë dhe forcat speciale.

AS: Uefa kërkon të bëjë shembull Serbinë e Shqipërinë

Një nga masat që mund të marrë është përjashtimi nga eliminatoret e Euro 2016 të të dyja federatave.
Një paralajmërim i frikshëm vjen nga e përditshmja spanjolle “AS” lidhur me atë që mund të jetë vendimi i Komisionit të Disiplinës së Uefa-s me datë 23 tetor. E përditshmja sportive në faqen e saj shkruan se Uefa dhe Fifa kërkojnë të bëjnë shembull Serbinë dhe Shqipërinë, që ngjarje të tilla si ajo e Beogradit të mos përsëriten më, dhe një nga masat që mund të marrë është përjashtimi nga eliminatoret e Euro 2016 të të dyja federatave. Si presidenti i Fifas, Sepp Blatter gjithashtu dhe ai i Uefa-s, Mishel Platini i cilësuan si të turpshme ngjarjet e Beogradit, duke qenë dakort për një cështje për herë të parë pas plot 6 muajve, pas polemikave për Botërorin e Katarit, gjyqtarëve apo dhe përdorimit të teknologjisë. As madje duke ju referuar burimeve pranë Uefa-s, bëri me dije se kjo e fundit ka vendosur të japë një ndëshkim shembullor, pavarsisht se në shkrimin e të përditshmes spanjolle analizohen dhe llogaritjet jo të sakta të qeverisë së futbollit europian, në momentin e hedhjes së shortit, ku vendosi të mos përballet në fushën e lojës vende si Gjibraltari me Spanjën, apo Azerbajxhani me Turqinë, ndërsa nuk ndoqi të njëjtën linjë me vendet e ballkanasit, që ashtu sic shkruan “AS” është vatra më e nxehtë e konflikteve në Europë, sidomos mes kroatëve, boshjakëve e shqiptarëve me serbët.

De Biasi: Nuk ka kushte për përsëritjen e ndeshjes


Tekniku italian flet për momentet e tensionit duke theksuar se policia nuk ndërhyri kur tifozët hynë në fushën e lojës
Giani De Biasi del sërish në mbrojtje të skuadrës së tij për atë që ndodhi në mbrëmjen e zezë të Beogradit. Në një intervistë dhënë për radio Crc, tekniku italian flet për momentet e tensionit duke theksuar se policia nuk ndërhyri kur tifozët hynë në fushën e lojës, madje as kur kapiteni Lorik Cana u sulmua nga një prej tyre. “Në dhomat e zhveshjes nuk ndodhi asgjë por në tunel po. Disa lojtarë u rrëzuan dhe të tjerët patën probleme. Në stadium kishte mijëra tifozë të karikuar, por unë u godita vetëm me një monedhë. Në qiell fluturonin gurë por për fat të mirë nuk më preku asnjë”, thekson De Biasi që kthehet pas në kohë për të folur edhe për shortin që vuri përballë dy kombëtaret. “Menjëherë pas hedhjes së shortit u çudita përse UEFA lejoi që Shqipëria dhe Serbia të luanin në të njëjtin grup.  Kjo ishte një zgjedhje e gabuar”.

Tekniku italian shton më tej se nuk beson që UEFA ta përsërisë ndeshjen pasi nuk janë kushtet për të garantuar sigurinë.  “Ne ishim në gjendje të mirë. Patëm dy raste për të shënuar dhe po luanim me kurajo. Jam i sigurt se për ndeshjen e kthimit shqiptarët do të respektojnë futbollin dhe nuk do të shfaqin parrulla politike për hakmarrje. Objektivi jonë është që të tregojmë se jemi një shtet i rëndësishëm”, përfundon De Biasi.