Alban Meha pret me padurim 14 tetorin, ditën kur Kombëtarja shqiptare do të luajë në Beograd kundër Serbisë. Më parë kuqezinjtë presin Danimarkën në ndeshjen e dytë për Grupin I, pikërisht më 11 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”. Në një bisedë për gazetën kosovare “Sport Plus”, fantazisti kuqezi që aktivizohet në Bundesligë me Paderbornin, foli për riaftësimin nga dëmtimi, fitoren e Shqipërisë me Portugalinë dhe takimin e shumëpritur me serbët.
“Pas një lëndimi që kam pasur dhe jam detyruar të qëndroj jashtë fushës për një kohë jo të shkurtër, unë tani jam kthyer dhe jam duke stërvitur me ekipin tim, Paderborn. Po ndihem shumë mirë në stërvitje dhe gjithçka është duke shkuar sipas planit. Nëse shkon gjithçka siç ka shkuar deri më tani, atëherë pas dy javëve do të jem i gatshëm të ndihmoj Paderbornin dhe Shqipërinë”, ka thënë fillimisht Meha.
Futbollisti nga Mitrovica nuk e ka ndier mirë veten gjatë kohës që nuk ka mundur të ndihmojë klubin e tij, e sidomos Kombëtaren shqiptare në përballjen me Portugalinë. Ndeshjen e luajtur në Aveiro mesfushori e ka ndjekur në TV mes ankthit.
“Unë kam dashur që të luaj edhe në fillim të kampionatit me Paderbornin, por nuk kam pasur mundësi për shkak të lëndimit. Po ashtu ka qenë një dëshirë e madhe e imja që të ndihmoja Shqipërinë në takimin e parë kundër Portugalisë, por nuk ishte e mundur. Jam gëzuar shumë që skuadra ka fituar kundër Portugalisë. Ka qenë një fitore shumë e madhe dhe po ashtu një natë e paharruar për të gjithë shqiptarët, pasi edhe Kosova fitoi ndaj Omanit”, deklaroi mesfushori.
Parësore për Mehën është fitorja kundër Serbisë, ndeshje për të cilën ai deklaron se do të jetë 100 për qind i gatshëm. Por ai dëshiron edhe diçka tjetër kundër serbëve.
“Do të jem i gatshëm kundër Serbisë. Dua të jem patjetër në fushë në atë ndeshje. Vetëm shpresoj të jem i gatshëm dhe të mos kem probleme me lëndime. Shumë e rëndësishme për ne është të fitojmë, nuk ka rëndësi kush shënon gol. Është e kuptueshme që unë do të dëshiroja të shënoja një gol të bukur nga gjuajtja e lirë. Të shohim, nëse do të më jepet rasti, do të provoj dhe besoj që do të mund të shënoj”, ka përfunduar 28-vjeçari, i cili prej tre sezonesh është pjesë e Paderbornit.
Golat e tij në sezonin e kaluar ngjitën skuadrën modeste gjermane në Bundesligë. Me fanellën kuqezi Meha është aktivizuar në 6 ndeshje, ndërkohë që ka arritur të shënojë dy eurogola ndaj Lituanisë dhe Maltës.
No comments:
Post a Comment