Thursday, September 4, 2014

Zyrtare: Kozniku trajner i ri, Mustafi drejtor sportiv


Ardian Kozniku është emëruar shef i ri i stafit teknik të KF Shkëndija, duke zëvendësuar në këtë post Roy Ferençinan e larguar kohë më parë. 46 vjeçari nga Gjakova ka arritur akordin me drejtuesit ‘kuqezi’ dhe ka firmosur kontratë për të drejtuar ekipin në 12-të  muajt e ardhshme, me hapsirë që marëveshja të vazhdohet nëse të dyja palët mbesin të kënaqura me bashkëpunimin.
“Ndjehem shumë mirë, dhe tejet i emocionuar pasi tanimë jam pjesë e një klubi me emër të madh si Shkëndija. Në përgjithësi ndjehem i kënaqur, kam ndëgjuar për përkrahësit e Shkëndijës dhe për organizimin e mirëfilltë në klub, kështu që pirtet nga unë dhe kolegët që Shkëndijën ta dërgojmë aty ku ka dëshirë sheh e gjithë Tetova. “, deklaroi shefi i ri i stafit teknik të Shkëndijës, Ardian Kozniku.


Ndërkohë pas largimit të Mathias Walterit, drejtuesit e Shkëndijës vendosin që postin e drejtorit sportiv t’ia besojnë Nebi Mustafit. Ish-kapiteni i ekipit emërohet në një pozitë të rëndësishme dhe me përgjegjësi të madh në klub, pasi sezonin e fundit ka punuar si trajner me ekipin e shpresave të Shkëndijës. Ai pranon me kënaqësi pozitën e re, duke shtuar se njëkohësisht i rritet përgjegjësia që bart ky post.
“ E  gjithë kjo erdhi shpejtë, pasi unë sapo kisha filluar të punoj me kategorinë e juniorëve, mirëpo nuk do të mërzitem shumë pasi do i lë në duar të sigurta. Jam shumë i nderuar dhe njëkohësisht ndjej përgjegjësi, pasi Shkëndijës i nevojitet profesionalizëm dhe përkushtim i plotë duke punuar së bashku me trajnerin e ri dhe gjithë ekipin për ti arritur objektivat e klubit.“, u shpreh drejtori i ri sportiv i Shkëndijës, Nebi Mustafi.

Biografia e trajnerit të ri
Ardian Kozniku ka karrierë të pasur si futbollist, ndërsa do mbahet mend të histori si shqiptari i parë që mori pjesë në një Kampionat Botëror. Ai është bartës i medaljes së bronzit, pasi ishte pjesë e ekspeditës së Kroacisë në fitimin e vendit të tretë në Botërorin e vitit 1998. Ndryshe Kozniku karrierën e ka nisur me kategoritë e reja të klubit të Vëllaznimi nga qyteti i lindjes, Gjakova, ndërsa si senior ka debutuar me Prishtinën. Fillimi i ndërtimit të karrierës ndërkombëtare filloi nga Hajduku i Splitit, për të vazhduar në Francë te Kan dhe Le Havre. Një sezon ishte pjesë e APOEL-it në Qipro, para se të rrikthehet në Francë te Bastia. Nga viti 1998 dy sezone luajti për Dinamon e Zagrebit (asokohe Kroatia Zagreb), një vit kaloi te Karnten Klagenfurti në Austri, ndërsa karierën e mbylli te Hrvatski Dragovoljac në Kroaci. Ardian Kozniku ishte pjesë e kombëtares më të mirë të Kroacisë, për të cilën zhvilloi 7 ndeshje dhe shënoi 2 gola. Pasi u largua nga futbolli i luajtur në vitin 2004 u emërua Drejtor Sportiv i Hrvatski Dragovoljacit. Punën si trajner i ka nisur si asistent te Dinamo Zagrebi në vitin 2009, ndërsa në vitin 2010 kaloi te Lokomotiv Zagreb si ndihmës trajner. Pikërisht te kjo skuadër në vitin 2011 emërohet trajner i parë i ekipit në kategorinë e parë të futbollit kroat. Angazhimin e fundit si trajner e kishte te Inter Zapreshiç, ku ishte asistent në ekipin e kategorisë së dytë kroate. Ai vjen te Shkëndija për të vazhduar rrugën e ndërtimit të një skuadre për synime të larta, ndërsa me përvojën dhe autoritetin e padiskutueshëm pritet të jetë përforcim i madh i klubit.

No comments:

Post a Comment