Trajneri ka kërkuar nga skuadra që të jetë me “këmbë në tokë” dhe të përqendrohet tek sfida e radhës, që luhet në një nga fushat më të vështira
Kukësi vijon përgatitjet në ish-kompleksin “Dinamo”, ndërkohë që trajneri Artim Shaqiri, bashkë me ndihmësat e tij, me një bllok në dorë mban vazhdimisht shënime, ndërkohë që hera-herës, e ndërpret senacën dhe udhëzon lojtarët se si duhet që të bëjnë ushtrimin. Kukësi me trajnerin maqedonas duket në udhë të mbarë dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet e dy javëve të para. Por, gara sapo ka nisur dhe Artim Shaqiri, u kujton vazhidmisht të tijve se kanë kaluar vetëm dy javë nga kampionati, ndaj duhet që të jenë me “këmbë në tokë” dhe të mos kenë shenja euforie edhe pse duhet theksuar se pjesa më e madhe e futbollistëve në radhët e Kukësit janë me eksperiencë dhe që kanë fituar trofe apo kanë zgjidhur ndeshje deçizive.
Skuadra vijon që të përgatitet me një seancë, ndërsa ajo që vihet re është fryma optimiste. Skuadra me gjashtë pikët e marra në dy takimet e para, në “Loro Boriçi” me Vllazninë si dhe me Elbasanin në Kukës, ka luksin që të përgatitet e qetë për transfertën e radhës, atë me Laçin në stadiumin e këtyre të fundit.
PREMIO- Pritet që skuadra e Kukësit të ketë një premio ekstra për të fituar në transfertën e Laçit. Nga sa bëhet e ditur, kuksianët, do të mbushin xhepat nëse arrijnë që ta kalojnë me sukses edhe ndeshjen e Laçit. Presidenti Safet Gjici, pritet që shumë shpejt, në prani të stafit dhe futbollistëve të publikojë edhe shifrën. Kukësi tashmë synon që të mos e lëshojë vendin e parë edhe pse gara është në kulmin e vet, me një rivalitet të ashpër qysh në javët e para, ndërsa, “malorja” për skuadrën e trajnerit Artim Shaqiri sapo ka nisur.
TIFOZËT – Pritet që edhe sot në Lezhë, nisur edhe nga afërsia gjeografike që ka qyteti i Kukësit me qytetin e Lezhës, të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh të skuadrës nënkampione të cilët duan që të shohin ekipin e tyre të zemrës, që në dy javët e para e ka justifikuar mbështetjen e tyre.
No comments:
Post a Comment