Wednesday, September 10, 2014

Duro i druhet moralit: Fitorja jo detyrim, por interpretim

Trajneri i Partizanit e konsideron jetike dhe shumë të vështirë përballjen me kampionët
“Mendoj se nuk do të jetë organika që do të bëjë diferencën, pasi në këtë aspekt jemi të njëjtë”
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro ka vlerësuar si shumë të rëndësishme përballjen me Skënderbeun, për vetë faktin se tashmë ata ndodhen me vetëm një pikë në renditje. Sipas trajnerit, fakti që kundërshtarët kanë marrë gjashtë pikë në dy javët e para i bën ata më të qetë nga ana psikologjike, ndërsa presioni në këtë rast bie mbi ekipin tij. Ndërkohë, trajneri e ka interpretuar si normale deklaratën e presidentit të Skënderbeut, i cili theksoi se fitorja me Partizanin nuk diskutohet, por mendohet kundërshtari pasardhës.
Si duket Partizani përpara sfidës me Skënderbeun?


Sigurisht që përballë kemi një kundërshtar si Skënderbeu, që patjetër është dominuesi i kampionatit shqiptar në katër vitet e fundit deh kjo me meritë. Mua më vjen mirë sepse edhe unë jam pjesë e historisë së këtij ekipi duke u shpallur kampion që në vitin e parë, por sot jemi normalisht në pozita të tjera dhe situata në këto momente është ndryshe për të dy ekipet. Normalisht Skënderbeu ka marrë dy fitore dhe kjo është pozitive që kundjet nesh vijnë pas një humbje dhe një barazimi. Në vijmë pas një humbje në Fier të papranueshme dhe të pajustifikueshme.
Ashtu si ju dhe Josa pritet të sjellë ndryshime në ekip për këtë sfidë.
Cili do jetë fituesi, strategjia juaj apo e Josës?
Normalisht Mirelin e kam mik dhe ndihem mirë që një trajner shqiptar është gjithnjë i suksesshëm në të gjitha ekipet që ka qenë. E ka shpallur në dy vite kampion Skënderbeun. Ai ka idetë dhe strategjitë e tij për të realizuar objektivin dhe nuk di se si do të veprojë trajneri i Skënderbeut. Ashtu sikurse ai dhe unë kemi mendime të kundërta për të ndërtuar lojën. Gjithsesi në futboll është gjithçka e paparashikueshme dhe pres të shikoj se si do të realizohen dhe si do të aplikohen në fushë skemat e lojës nga lojtarët e mi.
Kundërshtari duket e se e ka marrë lehtë përballjen me ju, një taktikë kjo?
Cili mendon kështu?
Presidenti korçar thotë se ekipi i tij mendon për ndeshjen e radhës, atë pas Partizanit!?
E kam lexuar intervistë e presidentit dhe më është dukur shumë normale, pavarësisht interpretimeve. Respektojmë Partizanin dhe shkojmë për fitore, ashtu sikurse pretendon cilido në fushën e lojës. Normalisht, presidenti ka një skuadër të konsoliduar edhe nga ana psikologjike, pasi ndodhet me gjashtë pikë në tabelën e renditjes.
Pas kampionëve do të përballeni me Kukësin, e shikoni të domosdoshëm fitoren me Skënderbeun për të mos komplikuar situatën?
Në futboll nuk ka detyrim, por ka interpretim. Futbolli është i paparashikueshëm. Ashtu sikurse ishte e paparashikueshme humbja në Fier, e kam thënë se të gjitha ndeshjet kanë të njëjtën rëndësi. Patjetër që ne kemi kundërshtar kampionen në fuqi dhe ndeshja sigurisht do të jetë e vështirë. Besoj se nuk do të jetë organika që do të bëjë diferencën në fushë, por mendoj se ata kanë një avantazh, pikërisht anën psikologjike, pasi ndodhen në kuotën e gjashtë pikëve. E theksoj sërish se ekipi ynë nuk e meritonte të ishte më një pikë në dy ndeshje, pasi kemi luajtur dhe dominuar. Kam shumë besim te lojtarët e mi. Kemi një organikë shumë të fortë dhe mendoj se do të përballemi me shumë dinjitet në fushën e lojës.
Ndiheni nën presion, pasi duhet patjetër marrja e tri pikëve?
Të gjithë trajnerët janë nën presion. Nuk diskutohet, që aq më shumë kur ke nën drejtim ekipin e Partizanit. Unë e kam ndier gjithnjë nën presion veten edhe kur kam qenë mirë. Më duket sikur kam një vit që drejtoj Partizanin sepse një ndeshje e ktheu situatën ndryshe dhe kjo është mëse normale. Një lojë mund ta kthejë situatën në sensin pozitiv dhe një ndeshje tjetër mund ta kthejë situatën në sensin e kundërt.
Sa ndryshime do të ketë në formacion në krahasim nga ndeshja me Apoloninë?
Normalisht nuk ka ndryshime të shumta. Ato do të jenë minimale duke iu përshtatur edhe kundërshtarit. Është një ekip shumë i fortë dhe duhet të jemi shumë të ekuilibruar me këtë kundërshtar. Deri ditën e enjte do të shikojmë për ndonjë ndryshim.
Nexhipi në ndeshjen e parë më Shkëndijën ku ju e drejtuat humbi një penallti. Ka ndodhur e njëjta gjë edhe me Partizanin… nëse do të merret sërish penallti, cili do jetë ekzekutuesi?
Më vjen keq për Nexhipin, pasi është hera e dytë që ndodh personalisht me mua. Në ndeshjen që luajtëm më Vardarin në Shkup mesfushori humbi një 11-metërsh dhe tashmë ndaj Apolonisë. 11-metërshi ndaj Apolonisë na dëmtoi sepse humbëm. Janë gjëra që ndodhin. Jam i bindur që nëse do të ketë 11-metërsh, jam i bindur që Nexhipi vetë nuk do të pranojë të gjuajë penallti te Partizani.
Duke parë ndeshjet e luajtura, mendoj se kanë qenë episodet që kanë ndryshuar Partizanin, apo duhet parë diçka edhe në mënyrën e lojës?
Humbja me Apoloninë sfumoi gjithçka pasi rezultati është mbi të gjitha. Pas Laçit dominuam sërish në ndeshjen e Fierit, ku u çorientuam vetëm në 10 minutat e fundit. Duhet të jemi të përqendruar me Skënderbeun, i cili është një kundërshtar shumë i fortë dhe që nuk i fal gabimet.
Skënderbeun e keni drejtuar para katër vitesh, por tashmë ka ndryshuar në masën 50%. Bindja juaj që thoni se nuk mund të dilni me sukses lidhet edhe me faktin se e njihni mirë kundërshtarin?
Ashtu sikurse e njoh unë ekipin korçar, edhe trajneri Josa e njeh shumë mirë ekipin e Partizanit. Megjithatë, dua të them se Skënderbeu ka ndryshime të shumta. Për mua janë dy njerëzit kryesorë që kanë mbajtur peshën kryesore të ky ekip. Shkëmbi dhe Shehi janë elementët që janë themeli i këtij ekipi. Merita kryesore e këtij ekipi qëndron padyshim te këto dy pika kyçe. Ata kanë një rol kryesor në suksesin e këtij ekipi. Me Shkëmbin kam pasur përplasje kur gjërat në një moment nuk shkuan mirë, por e kam thënë dhe e them sërish se është njeriu më i rëndësishëm i Skënderbeut.
Doni që mos t’i kishit përballë, të paktën vetëm për këtë ndeshje?
Normalisht nuk hyj në këto situata, pasi ata janë lojtarë të Skënderbeut dhe unë vlerësoj kontributin e tyre që ata kanë në këtë ekip.
- See more at: http://www.sportishqiptar.com.al/newsite/2014/09/10/duro-druhet-moralit-fitorja-jo-detyrim-por-interpretim/#sthash.VDpzFZcw.dpuf

No comments:

Post a Comment