Wednesday, September 17, 2014

Duro: Derbi pa tifozë, e paimagjinueshme

Duro e sheh të papranueshëm faktin që derbi do të luhet pa tifozë pasi kjo është një nga ato sfida për të cilat mendohet që në hedhjen e shortit.

Dy fitoret në harkun e tre ditëve kanë rikthyer qetësinë e munguar tek Partizani. 15 herë kampionët e vendit po pergatiten për 90 minutëshin ndaj Teutës, e vlefshme për javën e 5 të kategorisë superiore. Trajneri Shpëtim Duro vlerëson shumë fitoret ndaj Skënderbeut dhe Kukësit më shumë në aspektin psikologjik, duke shtuar që nisja e sezonit është shumë e mirë për ekipin e tij, duke përjashtuar humbjen me Apoloninë.
"Duhet të kuptohemi që ishte një fillim i mirë i sezonit në Lac. Pika e marrë atje na kënaqi por zhgënjyem në ndeshjen e luajtur ndaj Apolonisë. Luajtëm tre ndeshje në transfertë dhe këto dy fitoret e fundit janë shumë të rëndësishme për moralin e skuadrës pasi u arritën ndaj ekipeve të forta".
Përballja e fundjavës rezervon një duel me Teutën, skuadër e projektuar për të garuar për mbijetesë, dhe për më tepër që drejtohet nga ish trajneri i Partizanit Hasan Lika. Por Duro nuk kërkon nënvlerësim, duke evidentuar se kishte parashikuar që në fillim një garë të fortë dhe rezultate surprizë si këto të javës së fundit.
"Kam thënë që në fillim se vlerësoj të gjithë kundërshtarët njëlloj. Po dalin fjalët që kam thënë, ky kampionat ka rivalitet dhe këtë e tregoi më së miri java që sapo kaluam. Kampionati është i gjatë dhe në të mund të marrësh të treja rezultatet. Ndeshjet nuk janë njësoj, një humbje në Fier solli një situatë të keqe tek ne, dy fitoret na ngritën lart. Respektoj Teutën sepse ka një skuadër të mirë me futbollistë me emër në kampionat që luajnë prej disa vitesh në superiore. E vlerësoj shumë sepse presioni në këtë ndeshje është mbi ne".
Më pas një mendim shkon edhe për derbin me Tiranën, supersfidën e shumëpritur nga të dyja tifozeritë, e cila do të luhet pa praninë e tifozëve pas vendimit të komisionit të disiplinës për ngjarjet e dhunës në Loro Borici ndaj Vllaznisë. Si një nga trajnerët më me eksperiencë Duro e sheh të papranueshëm faktin që derbi do të luhet pa tifozë pasi kjo është një nga ato sfida për të cilat mendohet që në hedhjen e shortit.
"E them sinqerisht, dënimi për tifozët e Tiranës është i merituar por të luash derbin pa tifozë është e paimagjinueshme. Ne mezi e presim atë sfidë dhe janë pikërisht tifozeritë me ngacmimet e tyre që i japin bukuri derbit".
Partizani – Teuta do të zhvillohet ditën e premte në orën 19 dhe do të transmetohet në Supersport 4 dhe Supersport HD 4.

No comments:

Post a Comment